MPB: Sulmi ndaj Guriqit dëshmon se Serbia s’e ka ndryshuar qasjen kriminale

Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate për media ka thënë se e dënon ashpër sulmin ndaj kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Guriq.

MPB-ja ka thënë se ky sulm ndaj Guriqit dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar qasjen dhe sulmet e saj kriminale ndaj qytetarëve serbë që janë besnikë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.

Theksohet se ky akt është në vazhdën e djegieve të njëpasnjëshme të veturave të qytetarëve serbë që bashkëpunojnë apo angazhohen në institucionet e Republikës.

“Nga Policia e Kosovës jemi njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur vetura e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Guriq. Sulmet e tilla të Serbisë që targetojnë qytetarët serb që angazhohen në institucionet tona, synojnë që të krijojnë pasiguri tek qytetarët tanë dhe të përcjellin edhe mesazhin e fatit të atyre që duan të angazhohen në institucionet tona. Ftojmë Policinë e Kosovës për angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti dhe sjelljen e kryesve para drejtësisë”, thuhet në reagim.

MPB-ja tutje ka thënë se institucionet do të vazhdojnë të jenë të hapura për angazhim dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.