MPJD e Kosovës dhe Austrisë zhvillojnë konsultime politike, theksohet procesi i anëtarësimit në KiE dhe BE

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Austrisë zhvilluan konsultime politike, gjatë të cilave u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe BE.

Delegacioni i Ministrisë së Kosovës udhëhiqej nga zëvendësministri Kreshnik Gashi, ndërsa pala austriake drejtoresha e përgjithshme e Ministrisë, Elizabeth Kornfeind.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, në takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin shumëpalësh dhe ngjarjet rajonale dhe botërore.

“Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe u diskutuan marrëveshjet ekzistuese në fushën e drejtësisë, sigurisë, mbrojtjes dhe tregtisë. U diskutua njohja e vulës apostile, rritja e numrit të lejeve të transportit dhe marrëveshja për sigurimet shoqërore”, thuhet në njoftim.

Sa i përket bashkëpunimit shumëpalësh, u diskutua për proceset e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

Ahmeti falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Ngjarjet e fundit botërore ishin një tjetër temë e bisedës, ku u fol për ndikimin e tyre në rajon, veçanërisht në fushën e sigurisë. Zëvendësministri Ahmeti shtoi se Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në paqen rajonale dhe botërore”, thuhet në njoftim, me përfundimin se konsultimet e rregullta politike shërbejnë për “thellimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale”.