Musliu-Shoshi i reagon Kurtit për minatorët: Po më duket se duhet të ndodhë ndonjë fatkeqësi që t’i dëgjosh kërkesat e tyre

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se më sa duket duhet të humbët jetë e me ndodhë fatkeqësi që Qeveria e Kurtit të i dëgjojë kërkesat e minatorëve.

Përmes një postimi në Facebook, deputetja i është drejtuar kryeministrit Kurti, që mos t’i ik premtimeve dhe mos t’i ik minatorëve të “Trepçës”.

“Po duket që duhet me humbë jetë e me ndodhë fatkeqësi që qeveria e Albini të paktën të i dëgjojnë kërkesat e minatorëve! Albin mos ik prej premtimeve, mos ik prej minatorëve të “Trepçës.” Shko e dëgjoj kërkesat e tyre, përjeto se si është të punosh 800 metra nën tokë, pa kushte e i përbuzur. Nënqmimi e ndëshkimi që po i bënë këtij populli e vendi do të dërgoj, shpejt, në humnerë politike!”, ka shkruar Musliu-Shoshi

Minatorët e “Trepçës” po e vazhdojnë grevën me kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi tha se ditën e sotme ka pasur një takim me disa zyrtarë të qeverisë. Jonuzi për Insajderin tha se nuk presin të ketë diçka nga ky takim.

“Me kryeshefin dhe bordin s’kemi pasur kontakt, por kemi zhvilluar një takim me të deleguarit nga qeveria. Takimi me ta është zhvilluar sot. Ata veç e kanë dëgjuar zërin tonë, nuk mund të them që presim diçka”, tha ai.

Tutje, Jonuzi bëri të ditur se 24 minatorë janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë duke kërkuar ndihmë mjekësore.

“Gjendja është shumë e rënduar. Dita e pestë e grevës dhe ka 24 persona që po kërkojnë ndihmë”, u shpreh ai.