Mustafa: Kurti po manipulon, në 2013 dhe 2015 s’ka pasur draft statute të Asociacionit

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se marrëveshja e vitit 2013 dhe dokumenti i vitit 2015, nuk kanë qenë drafte të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Mustafa ka akuzuar Kurtin se po manipulon opinionin, duke bërë sipas tij, krahasime të pabaza dhe të pakrahasueshme.

“Marrëveshja e vitit 2013 si dhe dokumenti i vitit 2015 nuk kanë qenë drafte të statutit. Prandaj z. Kurti po bënë krahasime të pabaza, të pakrahasueshme. Thjesht po manipulon me opinionin”, tha Mustafa.

Kryetari i Nderit i Lidhjes Demokratike të Kosovës është shprehur se Kurti e ka problemin me autonominë serbe, për të cilën thotë se po e instalon.

“Kurti e ka problemin me autonominë serbe, të cilën po e instalon. Marrëveshja e vitit 2013 nuk parasheh autonomi per serbet. As dokumenti i vitit 2015”, shtoi ai.

Mustafa thekson se statutin nuk e ka shkruar Qeveria Kurti, por ia kanë sjellë të shkruar dhe se Kurti ka për detyrë ta lavdërojë atë, teksa thotë se problem është përmbajtja dhe bazueshmëria kushtetuese dhe jo se çfarë është më e bukur.

“Problem është përmbajtja dhe bazueshmëria kushtetuese, jo çfarë është më e bukur. Edhe më e keqe është se atë Statut nuk e ka shkruar Qeveria Kurti, por ia kanë sjellë të shkruar. E ky ka marrë për detyrë ta lavdërojë”, tha Mustafa për Blic.