Nagavci pas suspendimit të profesorit Nexhat Krasniqi: Bëj thirrje studentëve që të denoncojnë çdo shqetësim

Ministrja e Arsimit në Republikën e Kosovës, Arbërie Nagavci ka reaguar pasi Universiteti i Prishtinës ka njoftuar për pezullimin nga puna të profesorit Nexhat Krasniqi.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se nuk do të tolerohet asnjë sjellje që bie ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ, në veçanti rastet e ngacmimeve seksuale.

“Mirëpres Vendimin e Këshillit të Etikës dhe atë të Rektorit të UP-së, Prof. dr. Qerim Qerimi. Organet përgjegjëse të Universitetit të Prishtinës, në funksion të autonomisë së tyre, e trajtuan dhe morën vendim për rastin e fundit, sepse qëllimi është i njëjtë, arsimi duhet të udhëhiqet nga kodi etikës dhe sjellja profesionale. E kundërta do të ndëshkohet gjithmonë! Shpresoj që edhe organet e hetuesisë të veprojnë me efikasitet në trajtimin e këtij rasti”, ka shkruar Nagavci.

Ajo u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve arsimore, të ndërmarrin hapa për të parandaluar çfarëdo shkelje të kodit të etikës dhe të krijojnë mjedise të sigurta, ndërsa studentëve që të denoncojnë çdo rast të tillë apo shqetësim që kanë për të ndryshuar të gjithë së bashku sistemin arsimor.