“Ndalimi i dinarit” dhe “bankave serbe”, Vuçiq: Kurti do t’i lë pa para pensionistët, arsimtarët, mjekët

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, është takuar në Zvicër me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak. Vucic duke folur për media, ka thënë se ka folur me krerët e disa shërbimeve të inteligjencës dhe me Miroslav Lajcakun dhe se “iu ka kërkuar atyre që ta ndalojnë Kurtin në përpjekjen për ta shkatërruar dialogun”, shkruan RTS, transmeton Express.

Presidenti serb ka folur për një përpjekje të kryeministrit Kurti për të “ndaluar pagesat e pagave dhe pensioneve të serbëve lokalë që punojnë në shëndetësi, arsim e institucione të Serbisë”.

Vuçiq ka thënë se “kjo nënkupton një largim të zëshëm të serbëve nga  Kosova”.

Kreu i shtetit serb ka thënë se po kërkon mbështetje “jo për Serbinë, por për njerëzit e zakonshëm në Kosovë”, që ata të jenë në gjendje të mbesin dhe të jetojnë në shtëpitë e tyre në pajtim me parimet e vitit 2015 dhe në pajtim me planin e ri të BE-së për Asocaicionin.

President i Serbisë Aleksandar Vuçiq edhe dje ka folur lidhur me atë se ka paralajmërime që Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ndalojë përdorimin e valutës shtetërore serbe ( dinarin), në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se Kosova gjithashtu është e gatshme të konsiderojë anulmin pagesave dhe transaksioneve me Serbinë.

”Ne morëm një njoftim nga Prishtina se janë të gatshëm të konsiderojnë anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë, ndalimin e përdorimit të dinarëve dhe bastisjen e Postanska Banka, njëra nga dy bankat që operojnë me dinarë dhe sipas sistemit serb”, ka deklaruar  ai.