Në Dubravë tek të burgosurit gjendet sërish marihuanë – Policia nis hetimet

Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar sërish në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku numri i të burgosurve që janë përdorues të drogës po del të jetë i madh.

Brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në rastin e fundit, oficerët kanë gjetur një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë, në tualetin e njërit pavijon.

Narkotikët janë sekuestruar, teksa Policia e Prokurori i Shtetit janë vënë në dijeni dhe tashmë është iniciuar hetimi.

Kujtojmë se sikleti për të konsumuar drogë po i detyron të burgosurit që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të drogës – raste këto po ashtu që s’kanë qenë të pakta.