Në momentin kritik ishte brenda veturës me vajzën e të ndjerës, ky është 24-vjeçari që dyshohet të ketë shkaktuar aksidentin ku vdiq 51-vjeçarja

Lëndimet që mori nga aksidenti në trafik gati një javë më parë, dolën të jenë fatale për 51-vjeçaren, Fatime Çoçaj, nga Prizreni. E ndjera e cila po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk arriti t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme, ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është Linor Krasniqi, 24-vjeçar.

Krasniqi dyshohet se në momentin kritik ndodhej në veturë me vajzën e tashmë të ndjerës, e cila kishte tentuar që ta ndalonte veturën.

24-vjeçari nuk e kishte marrë fare parasysh se mund t’i shkaktojë lëndime të ndjerës, Fatimes, e cila ishte kapur në dritaren e veturës duke tentuar ta ndal dhe i njëjti kishte vazhduar vozitjen duke e tërhequr zvarrë për disa metra.

Vajza që ndodhej në veturë ka dalë jashtë për t’i ofruar ndihmë nënës së saj dhe më pas Krasniqi është larguar me shpejtësi që aty, duke shkaktuar madje edhe një aksident tjetër pasi ka goditur një veturë që ndodhej e parkuar.

Pasi është identifikuar ai është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, atij dje i është shqiptuar masa e ndalimit policor, teksa brenda afatit ligjor pritet të parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.