Në Prizren mbahet marsh paqeje për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Në qytetin e Prizrenit, të hënën, më 11 korrik, u mbajt një marsh i paqes në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Pas këtij marshi, si simbol i paqes, u lëshuan pëllumba të bardhë.

Organizatori i marshit, Edis Jonuzi, tha se 11 korriku i vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë, nuk duhet të harrohet kurrë.

“Sot nuk jemi në Potoçari me nënat e Srebrenicës, por ato janë në zemrat dhe mendjet tona. Prandaj, nga këtu, ne boshnjakët, shqiptarët, turqit, romët dhe të tjerët nderojmë viktimat”, tha Jonuzi.

Top 10 emrat dhe mbiemrat më të shpeshtë në Kosovë

Në marshin e paqes në Prizren, përveç pjesëtarëve të komunitetit boshnjak, morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj.

Kjo është hera e pestë që në Prizren mbahet marsh paqeje në nderim të viktimave të gjenocidit.

Rasim Demiri, përfaqësues i koalicionit Vakat, theksoi se “gjenocidi në Srebrenicë nuk ndodhi, por ishte planifikuar nga agresori serb”.

Në marshin e paqes në Prizren morën pjesë edhe boshnjakë nga Novi Pazari, qytet në Serbi. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

“Ne po vazhdojmë të bëjmë përpjekje për të krijuar paqe dhe stabilitet në gjithë Ballkanin dhe më gjerë, në mënyrë që masakrat e së kaluarës të mos përsëriten”, tha Sakar.

Para mbajtjes së marshit, përmes rrjeteve sociale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia paturpshëm e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërkaq presidentja Vjosa Osmani, tha se “të gjithë duhet të bashkohemi kundër përpjekjeve për të madhëruar ose mohuar këto mizori të tmerrshme”.

Më 7 korrik 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për Srebrenicën, që dënon gjenocid e regjimit serb ndaj pjesëtarëve të kombit boshnjak. Kjo rezolutë dënon ashpër mohimin e gjenocidit dhe 11 korrikun e shpall Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Në Kosovë mbërrijnë edhe dy gazetare nga Ukraina

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë tha se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.

Më 8 qershor të vitit 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së konfirmuan dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq.

Ai u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte në Bosnjë e Hercegovinë, të kryera ndërmjet viteve 1992 dhe 1995.

Në fund të korrikut të vitit 2021, ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Valentin Inzko, bëri ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, duke ndaluar mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës dhe madhërimit të kriminelëve të luftës.