Nënkoloneli i FSK-së shpëton nga mbytja në Shëngjin një nënë dhe vajzën e saj

Një oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shpëtuar nga mbytja në Shëngjin një nënë nga Kosova dhe vajzën e saj.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, nënkolonel Bexhet Shala ishte me pushime në Shëngjin kur pa se ato të dyja po luftonin për jetë nën ujë.

“Ngjarja ka ndodhur në një nga plazhet e qytetit të Shëngjinit në Shqipëri, ku nënkolonel Shala ishte për pushime me familjen tij. Në momentin kritik, nënkolonel Shala ka vërejtur lëvizje jo normale të dy personave që ishin në ujë, me një distancë prej rreth 70 metrash, ku ka konstatuar se ato po luftonin me jetën”, bën të ditur njoftimi.

“Intervenimin pa mëdyshje për shpëtimin e dy personave, nënkolonel Shala e ka bërë falë shkathtësive dhe aftësive të tija personale dhe profesionalë, përvojës së tij gjatë luftës në Kosovë si dhe leksioneve të shumta për vigjilencën në situata të ndryshme, si në luftë ashtu edhe në kohë paqe”, thuhet tutje.

Ndërsa vetë nënkolonel Shala ka theksuar se e ka mision që t’u dalë në ndihmë qytetarëve kur është nevoja.

“Unë kam bërë vetëm detyrën. Ne si ushtarakë të FSK-së, e kemi mision që çdo herë të jemi në gatishmëri për tu përgjigjur situatave që kërkohen që të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo, pa dallim, deri në vetëmohim”, ka theksuar nënkolonel Bexhet Shala.