Nënshkruhet marrëveshja mbi 80-milionëshe për ngrohtoren diellore në Prishtinë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Termokos, Fisnik Osmani kanë nënshkruar sot tri marrëveshje për ndërtimin e ngrohtores diellore në Prishtinë.

Kjo ministri ka bërë të ditur se në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent edhe Ambasadori Gjerman në Kosovë.

“Ndërtimi i ngrohtores diellore e cila do t’i shërbejë qytetarëve të Prishtinës është bërë e mundur përmes marrëveshjes me BERZH me vlerë 23.2 milionë euro, nga KfË 31.6 milionë euro, nga BE grant 21.5 milionë euro dhe Kontributi nga Qeveria 4.4 milionë euro. Ky projekt parasheh ndërtimin e e nje impianti te ngrohjes solare në Prishtinë ku përmes saj do të zgjerohen kapacitetet e prodhimit të energjisë termike te Termokosit deri në 50 MË. Pra, 38 mijë qytetarë që aktualisht nuk janë pjesë e rrjetit të ngrohjes do të fillojnë të kenë qasje në shërbimet e Termokosit pas perfundimit të projektit”, thuhet në komunikatë.

Aty bëhet e ditur se gjatë ceremonisë së nënshkrimit Ministri Murati është shprehur se “ngrohtorja e cila do të ndërtohet është investimi më i madh në rajon sa i përket prodhimit të energjisë termike nga energjia diellore.

“Ky projekt mundëson që më shumë qytetarë të kenë ngrohje në shtëpitë e tyre me çmim më të volitshëm dhe në të njëjtën kohë ndikon në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, është shprehur ai.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë ka falënderuar Muratin për bashkëpunimin e deritanishëm duke shprehur se “ngrohtorja diellore e qytetit ofron kapacitet të shtuar të ngrohjes dhe se ndërtimi i ngrohtores bëhet pikërisht në një kohë vendimtare për tranzicionin e gjelbër energjetik në Kosovë”.