Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të lartë të VV-së që sulmuan prokurorin e gjyqtarin që liruan Pantiqin

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të njohur të VV-së, Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka.

Aktakuza kundër tyre ka të bëjë me komentet që ata kishin bërë ndaj prokurorit Afrim Shefkiut dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari, në lidhje me heqjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq, shkruan lajmi.net.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet AM, E.A, Q.E dhe E.Z.  Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve AM dhe E.A është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, bën me dije Prokuroria.

Përveç tyre, është ngritur aktakuzë edhe ndaj dy personave të tjerë në lidhje me kërcënimet që ata u kanë bërë gjyqtarit dhe prokurorit në fjalë.

“Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit  A.Sh dhe M.B, thuhet në komunikatë.

“Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P”, thuhet tutje aty.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka, ky i fundit zëdhënës i VV-së, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.