Nis gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, këtu mund ta ndiqni live

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit tashmë ka nisur.

Sot është dita e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

KËTU mund ta ndiqni seancën live.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes.

Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill.

“140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.”

Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.