Një 19-vjeçare në Suharekë e denoncon vëllaun në polici, thotë se po i bën presion dhe nuk po e lë të dalë

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë.

Përpos ofendimeve e sharjeve mes njëri-tjetrit, ata në shumë raste kalojnë edhe në kërcënime.

Së fundi Policia ka intervenuar në një familje në fshatin Krushicë e Poshtme të Suharekës, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj motrës së tij.

Mësohet se 19-vjeçarja e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se në mënyrë të vazhdueshme ka presion nga vëllai, i cili dyshohet se e pengon që të kalojë kohë me shoqërinë e saj. Ky motiv, siç duket e ka shtyrë atë që në vazhdimësi të ketë konflikte me motrën.

E gjithë kjo situatë asaj i ka shkaktuar frikë dhe shqetësim, prandaj ka kërkuar ndihmën e Policisë, me shpresën që të tilla raste nuk do të përsëriten.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij, me ç’rast i ka pohuar pretendimet e motrës së tij.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.