‘Një grusht të rëndë grupeve nacionaliste serbe’: Nevoja e anëtarësimit të Kosovës në NATO

Sulmet e Serbisë në drejtim të Kosovës janë të shumta e në forma të ndryshme.

Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se nëse bashkësia ndërkombëtare nuk merr masa ndaj Serbisë, kjo e fundit do të vazhdoi edhe në të ardhmen me sulme ndaj Kosovës.

Që të ndalen ambiciet serbe ndaj Kosovës, shihet i nevojshëm anëtarësimi i Kosovës në NATO.

Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se futja e Kosovës në NATO, mes të tjerash do të siguronte një paqe afatgjatë për tërë rajonin.

“Në NATO janë 4 në BE janë 5 dhe vet fakti që këto shtet nuk e njohin Kosovën në njëfarë forme e centralizojnë rrugën e Kosovës drejtë këtyre organizatave e që anëtarësimi eventual i Kosovës në këto organizata do të siguronte një paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor sidomos në raport me Kosovë …Realisht do të thotë anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta dobësonte autokracinë edhe në Serbi, do t’i jepte një grusht të rëndë grupeve nacionaliste serbe”, thotë Vrajolli për Tëvë 1.

Vendet mosnjohëse të Kosovës janë pengesë për anëtarësimin në NATO, sepse për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, nevojitet konsensuesi i 31 vendeve anëtare.

Por, ish-diplomati Blerim Canaj thotë se njohja nga 5 vendet e BE-së, mund të pritet vetëm pas përmbylljes së dialogut me Serbinë.

“Kur flasim për NATO-n prapë po kthehem, po është e rëndësishme që t’i marrim ato pesë njohje, por unë mendoj që ato pesë njohje shumë lidhen edhe me çështjen e përfundimit të dialogut. Do të thotë nëse ne arrijmë që ta përfundojmë, nëse arrijmë ta përfundojmë suksesshëm këtë dialog, atëherë mund të vijnë edhe ato pesë njohjet. Mirëpo tani po e shohim se në momentin që po avancon diçka në dialog, atëherë automatikisht vijnë veprimet nga ana e Serbisë”, bën të ditur Canaj.

Zgjerimi i fundit i NATO-s ka ndodhur këtë vit, ku Finlanda është bërë vendi i 31 i aleancës.