Njoftim i rëndësishëm për pensionistët që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ’90

Ministria e Financave ka bërë të ditur se të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë 15 vite stazh pune, mund të regjistrohen për kalim në pension parcial kontribuiv deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Sipas njoftimit, të gjithë ata që s’kanë pasur mundësi të aplikojnë përmes formularit elektronik, kanë mundësi që të aplikojnë duke u paraqitur fizikisht në Zyrat Pensionale në rajonin e tyre përkatës, duke dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

“Vëmendje: pensioni parcial kontributiv do të jetë skemë e përhershme. Qytetarët që duan të përfitojnë në mënyrë retroaktive nga korriku 2023 duhet të aplikojnë deri më 31 dhjetor 2023. Ndërsa, për aplikimet pas kësaj date, kompenzimi bëhet nga muaji prej kur aplikuesi kualifikohet për pension parcial kontribuiv”, thuhet në njoftim.