“Nuk duan integrim” – Lista Serbe e Jabllanoviqi u kërkojnë serbëve që ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë që nisi sot

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka nisur sot dhe do të vazhdojë deri më 17 maj. Ndonëse i obliguar me ligj, Lista Serbe e Partia e Serbëve të Kosovës kanë bërë thirrje që të bojkotohet nga serbët regjistrimi i organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në një komunikatë për medie, Lista Serbe ka dalë kundër pjesëmarrjes në regjistrimin e popullsisë. Në njoftimin e tyre të publikuar në Facebook, Lista Serbe e ka bërë të qartë se “populli serb nuk do të marrë pjesë në censusin e ardhshëm të rremë”, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për represion e “spastrim etnik”.

“…dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe atyre, të cilët e mbështesin atë, se populli serb nuk do të marrë pjesë në organizimin e tij të regjistrimit të ardhshëm të rremë, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve” – thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Madje, Lista Serbe ka shkruar se pjesëmarrja në proceset e organizuara nga kryeministri Albin Kurti do të ishte “poshtërimi më i madh.”

“Pjesëmarrja në proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë në një moment kur i njëjti Kurti u ka mohuar serbëve të drejtën për pensione, paga, ka paaftësuar funksionimin normal të shëndetësisë, përfitimet sociale, ka hequr të drejtën e votës, serbët janë arrestuar dhe persekutuar, komunat e pushtuara me dhunë, militarizuan veriun e Kosovës, ndaluan vaksinimin dhe dërgimin e barnave, pamundësuan dërgimin e ushqimeve dhe sendeve ushqimore nga Serbia qendrore, shfuqizuan të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të drejtat e garantuara prej tyre për popullin serb, ndaloi shtypin serb…” – thuhet ndër të tjera në këtë njoftim të Listës Serbe.

Po ashtu edhe Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, i ka bërë thirrje qytetarëve në veri të Kosovës që të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë të organizuar nga institucionet e Kosovës.

Në një reagim në Facebook, Jabllanoviq u ka bërë thirrje serbëve qe mos të ndajnë asnjë te dhënë me ekipet e regjistrimit, të shmangin dhe të injorojnë plotësisht të gjitha veprimet qe lidhen me regjistrimin e popullsisë.

Njëjtë sikurse Lista Serbe, edhe Jabllanoviq e ka kritikuar Kurtin, duke thënë se regjistrimi i popullsisë është dëshira e Kurtit për të kuptuar se sa serb ka arritur të dëbojë që nga viti 2021.

“Bojkotoni regjistrimin e ardhshëm, mos u jepni asnjë të dhënë ekipeve të regjistrimit, shmangni dhe injoroni plotësisht të gjitha veprimet që lidhen me regjistrimin e popullsisë. Ky nuk është një regjistrim i popullsisë, kjo është dëshira e Albin Kurtit për të kontrolluar suksesin e politikës së tij represive ndaj serbëve dhe për të parë në numra se sa serb ka arritur të dëbojë që nga viti 2021.” – ka shkruar Jabllanoviq.