Nuk ndalen abuzimet me çmime në Kosovë

Konsumatori i varfër kosovar, pos përballjes thuaja të përditshme me çmime të reja të ngritura për shumë produkte elementare, po përballet përditë edhe me “lojën” me çmime, që bëjnë tregtarët, sidomos në rrjetet e marketeve dhe supermarketeve të mëdha, brenda për brenda hapësirave tregtare. Sipas zyrtarëve të MINT, rastet më të shpeshta të keqpërdorimit evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes.

Pos hovit të pandalshëm të ngritjes së egër të çmimeve në dy-tre vjetët e fundit në Kosovë, edhe abuzimet brenda për brenda marketeve me çmimet, që shpërfaqet në raste të shpeshta të mospërputhjes së çmimit të vendosur në raft me çmimin e llogaritur në arkë, është unik në rajon, por edhe përtej. Del të jetë goxha unik edhe abuzimi me tregtimin e mallrave të skaduara dhe me mënyrat e tjera të mashtrimit të konsumatorëve me çmimet.

Në Kosovë, sic dihet, çmimet janë ngritur në këto dy – tre vjetët e fundit vrullshëm, egërsisht dhe në përqindje shumë të larta me pretekst dhe pa të, në të shumtën pa asnjë logjikë të tregut, për të arritur nivelin ndër më të lartin në shtetet e Ballkanit dhe më larg. Në këtë periudhë, që nga shpërfaqja e pandemisë e këtej, tregtarët kosovarë, sidomos ata të produkteve elementare ushqimore kanë shfrytëzuar çdo rast dhe çast për të çuar në stratosferë nivelin e çmimeve të produkteve bazike.

Sot, çmimet e produkteve elementare ushqimore dhe të shumë produkteve të higjienës janë të barabarta, ose më të larta se në tregun e Gjermanisë, të Francës, të Spanjës, Portugalisë etj. Ndërsa, tendencat e ngritjes së egër dhe jashtë logjikës së tregut janë vrejtur edhe me rastin e ndonjë paralajmërimi zyrtar për ndërmarrjen e ndonjë mase konkrete për të parandaluar anarkinë e çmimeve si dhe me rastin e festave më të rëndësishme të Republikës.

Kësisoj, ngritje e madhe dhe e egër çmimesh ndodhën vitin e kaluar pikërisht vetëm disa ditë pas miratimit të Rezolutës nga Qeveria për frenimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe disa ditë pas paralajmërimeve zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues. Kështu, në këto dy-tre vjet, posa janë bërë publike paralajmërimet për masa të autoriteteve, në shtandet e minimarketeve, marketeve të mëdha dhe supermarketeve, janë reshtuar çmime të ngritura në stratosferë të shumë produkteve bazike ushqimore (më 11, 12 e 13 gusht 2022).

Po njësoj pothuajse ndodhi edhe me rastin e miratimit të Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg (8 nëntor 2022). Në vend që të ndalet paksa hovi i ngritjes së egër dhe të vrazhdtë të çmimeve me këtë rast, ato vetëm sa u ngritën më shumë dhe më me agresivitet nga tregtarët abuzues të produkteve bazike ushqimore. Dhe, në këtë mënyrë, tani kur është bërë afro një vjet qëkur është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, efektet e tij janë të pavërejtshme, për të mos thënë zero efekte.

Njësoj tregtarët (ata me prirje abusive) kanë vepruar edhe me rastin e shumë festave shtetërore, e sidomos të festave të Bajramit, të Krishtlindjeve, të Pashkëve dhe ato të fundvitit. Me rastin e festave të mëdha, kur popullata e të gjitha shtresave nuk kursen për ta pasur një tryezë sa më festive dhe me ushqime të bollshme, në vend vërshojnë çmime të reja të ngritura, sidomos të produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën, por në veçanti të atyre produkteve që konsumohen shumë gjatë festave.

Edhe sivjet, vetëm 1 ditë para festës së Kurban Bajramit (26 qershor 2023), në tregjet e gjelbra të Prishtinës, ndodhi rritja qind për qind e çmimit të domateve. Në të gjitha shtandet e Tregut kryesor të gjelbër të kryeqytetit, por edhe në tregjet e tjera të Prishtinës, një ditë para festës çmimi i domateve nga 60, 70 e 80 centë kilogrami, sa kushtonin vetëm një e dy ditë më parë, ishte ngritur në 1,5 euro, ose mbi 100 për qind. Në prag të kësaj feste u regjistruan ngritje çmimesh edhe te disa produkte të tjera ushqimore. Dhe, vetëm një ditë pas kësaj feste, çmimi i domateve u rikthye në nivelin e mëparshëm 60, 70 e 80 centë kilogrami.

Konsumatori i varfër kosovar, pos përballjes thuaja të përditshme me çmime të reja të ngritura për shumë produkte elementare, po përballet përditë edhe me “lojën” me çmime, që bëjnë tregtarët, sidomos në rrjetet e marketeve dhe supermarketeve të mëdha, brenda për brenda hapësirave tregtare.

Konsumatori i skamur kosovar, duke bërë përpjekje për ta gjetur ndonjë çmim paksa më të lirë dhe i ndikuar e nxitur nga propagandimi i pa reshtur dhe nëpërmjet shpalljeve publike, shumë shpesh ka përjetuar zhgënjime të mëdha me rastin e pagesave në arkë. Me fjalë të tjera, çmimet e vendosura në ‘fletushkat” reklamuese për ulje çmimesh, në shumë raste nuk përputhen me çmimin e vërtetë që blerësi detyrohet ta paguajë në arkën e marketit. Mashtrimi i konsumatorëve me çmimet bëhet edhe në mënyra të tjera. Tashmë janë të informuar edhe inspeksioni për këto mashtrime tregtarësh.

Në shumë markete të mëdha, në shtandet e produkteve qenësore ushqimore, janë vendosur njoftime se gjoja sasia e produktit me çmim të liruar “është e limituar”, prandaj edhe produket numerikisht të kufizuara për blerësit. Dhe, konsumatori i stërvobekt i Kosovës, i joshur dhe i nxitur nga kjo propagandë e tregtarëve mashtrues, në jo pak raste është detyruar të futet në borxhe financiare për të siguruar, edhe në këto kushte, një litër vaj, disa kilogramë miell dhe ndonjë produkt të shpallur si “i limituar”.

Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti janë shqiptuar 57 gjoba (asnjëra nën 1 mijë euro, kanë njoftuar për medie nga MINT) për mospërputhje të çmimeve raft-arkë. Ndërsa, gjatë tërë vitit 2022, sipas të dhënave të MINT, janë shqiptuar gjithsej 92 gjoba për mospërputhje të çmimeve raft/arkë. Por, numrin e gjobave të shqiptuara për këtë abuzim e konsiderojnë të ulët nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve.

Dhe, i pari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve, Selatin Kaçaniku, konsideron se numri i sanksioneve për këto abuzime mbetet i ulët. Por, sipas tij, edhe numri i ankesave del të jetë fare i vogël.

“Nëse kemi parasysh, se janë me mijëra fusha, një mijë sektorë socio-ekonomikë dhe qindra e mijëra transaksione ekonomike brenda një dite, del që numri i gjobave brenda një periudhe kaq të gjatë është hajgare. Ministria në vend që të dëshpërohet, e të ndjejë keqardhje, ajo lavdërohet se i ka evidentuar afro 100 ankesa, të cilat janë jashtëzakonisht të pakta, e bën MINT-in dhe Qeverinë shumë qesharake”, ka deklaruar ai.

Ankesat e kësaj natyre, siç tregon MINT, dërgohen te Inspektorati i Tregut, duke shpjeguar se fatura e produktit duhet ruajtur nga konsumatori, duke e vlerësuar atë si “dëshminë më të mirë”.

Manipulime jo të pakta nga disa tregtarë kosovarë, akoma bëhen edhe me mallrat e skaduara, të cilat tregtohen edhe pas skadimit të afatit të përdorimit dhe “zgjatjes’ false të këtij afati. Ndërsa zipas zyrtarëve të MINT, rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të standardeve dhe ligjeve tregtare evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raftë-arkë dhe shpalljes publike (reklamës nëpërmjet fletushkave dhe medieve elektronike) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes.

Është bërë kohë e gjatë qëkur ecuritë e çregulluara dhe jo normale në sektorin e çmimeve në Kosovë, (ngritjen jo logjike dhe pa asnjë bazë ligjore dhe keqpërdorimet e lartëpërmendura brenda marketeve) po vazhdojnë pa ndërprerje në Kosovë. Dhe ky trend i shpërthimit të egër të çmimeve i të gjitha produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejt te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumicës së kosovarëve të varfër nuk po ndalet ende sot e kësaj dite, edhe pse tregjet e botës kanë zënë tashmë të ulin çmimet e shumë produkteve.

Në anën tjetër, praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme të “lojërave” me çmime të shumë tregtarëve, pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Nuk pati ndonjë efekt në parandalimin e abuzimeve me çmime as nga premtimet e panumërta të dhëna publikisht të autoriteteve më të larta të vendit për ndërmarrjen e masave ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale. Inspektimet e bëra nga inpektorët në nivel vendi (gjithsej janë 33 inspektorë), thjesht kanë qenë fare të pakta dhe kanë efekt minimal karrshi rasteve të keqpërdorimit të çmimeve që vazhdojnë të ndodhin në Republikën tonë. /Buletini Ekonomik/