Oda Amerikane pas bllokimit të kosovarëve: Serbia po e shkel Marrëveshjen për Normalizim

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar pas bllokimit të qindra qytetarëve nga Kosova nga autoritetet serbe.

Në reagim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka thënë se kjo bllokadë në vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë e Kroacisë dhe Serbisë e Hungarisë, paraqet shkelje të qartë të dispozitave të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, synojnë promovimin e stabilitetit ndërmjet dy shteteve dhe gjithë rajonit. Në qendër të këtyre marrëveshjeve është parimi i lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, i cili përbën një vlerë thelbësore në procesin e integrimit evropian. Duke penguar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në destinacionet e tyre të dëshiruara në Evropën Perëndimore, autoritetet serbe jo vetëm që po i minojnë këto marrëveshje por edhe po pengojnë përparimin drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian”.

Oda Amerikane beson fuqishëm se lëvizja e lirë e njerëzve është thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve, prandaj kufizimet e tilla jo vetëm që pengojnë jetën e individëve, por kanë edhe ndikim negativ në tregtinë, investime dhe aktivitete të biznesit në rajon”, thuhet në reagim.

Tutje, Oda Amerikane i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Kosovës, duke ua mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara.