Opozita këmbëngul për zgjedhje të parakohshme – Haki Abazi s’i sheh serioze deklarimet e opozitës

Kërkesën për zgjedhje të reja në vend partitë opozitare po e shfaqin çdo ditë e më shumë. PDK e LDK këmbëngul që vendi duhet sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ndonëse kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të mandatit të Qeverisë Kurti, partitë opozitare shohin vetëm zhgënjim dhe mospërmbushje të premtimeve. Prandaj, zgjedhjet i shohin si zgjidhje reale.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Ekonomia Online se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Mendoj që zgjedhjet e reja janë procesi me i domosdoshëm për këtë vend duke parë gjithmonë këtë qeverisje mënyrën e keqe të qeverisjes së këtij vendi dhe një situatë mjaftë e rëndë, qoftë ekonomike, qoftë në aspektet tjera të këtij vendi. Prandaj mendoj që sa më shpejt që është e mundur ne duhet të shkojmë zgjedhje dhe sovrani të vendos kush do ta udhëheq Kosovën vitet e ardhshme”, thotë Qalaj.

Mendim të ngjashëm për të shkuar në zgjedhje nuk ka edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi. Ai për Ekonomia Online, thotë se Qeveria Kurti duhet ta përfundojë mandatin e saj. Madje, Abazi nuk i sheh aq serioze deklarimet e opozitës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Nuk shoh ndonjë arsye sepse mendoj që Kurti duhet ta përfundoj mandatin e vet, ashtu siç i është dhënë. Nuk ka të interesuar nga opozita në formën serioze për ta rrëzuar këtë Qeveri duhet t’i lihet mundësia për të parë së fakt për katër vite ka arritur të bëjë minimalisht mos të themi asgjë në të mirën e Kosovës sepse ky mit i krijuar dhe premtimet që janë dhënë realisht janë përkthyer në asgjë tjetër përveç se një pushtet autokratik dhe populizëm dhe luftë propagandistike ndaj kundërshtareve politikë por asgjë konkrete në kuptimin e përmirësimit të jetës dhe realizimit të premtimeve të dhëna në fushatat elektorale”, u shpreh Abazi. /EO/