Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut paralajmëron koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë pritur në takim përfaqësuesit e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut të martën, nga ku është paralajmëruar për zyrtarizim të koalicionit.

Përfaqësuesi opozitar Izet Mexhiti ka deklaruar për RTK-në se ky është takim vëllazëror, derisa sa i përket mundësisë së një koalicioni ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut, por se pjesëtarët e LVV-së pritet t’i bashkohen partive opozitare.

Ai tutje shtoi se zyrtarizmi i këtij koalicioni pritet të ndodhë sot ose ditët në vijim.

Përveç Mexhitit, në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami.

Në Maqedoninë e Veriut të dielën u betua për herë të parë një kryeministër shqiptar. Talat Xhaferi i BDI-së do ta udhëheqë Maqedoninë e Veriut deri në maj kur pritet të mbahen zgjedhjet.