Osmani: E rëndësishme që të bashkohen forcat mes Presidencës, Qeverisë dhe opozitës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Osmani ka thënë se menjëherë pasi është njoftuar për këtë sulm, është koordinuar me aleatët ndërkombëtarë në minutat e para.

“Me Drejtorin e AKI-së dhe me institucionet e tjera të sigurisë unë kam kontakt të përditshëm. Që nga momenti kur ka ndodhur ky sulm, edhe pse isha në ShBA, atë moment jam njoftuar menjëherë rreth sulmit dhe natyrisht që menjëherë pas njoftimit jam koordinuar në minutat e para me partnerët tanë, në mënyre që të gjithë ata të japin përkrahjen e nevojshme Kosovës që të përballet me këtë sulm të organizuar nga Serbia, të ekzekutuar nga strukturat e saj ilegale kriminale”, ka deklaruar Osmani në RTK.

Osmani ka thënë se në këtë kohë është e rëndësishme që të bashkohen forcat mes Presidencës, Qeverisë e opozitës.

“Është e rëndësishme që ne ti bashkojmë forcat pavarësisht a jemi ulur këtu në Presidencë, apo në Qeveri apo kemi rol në opozitë. Siç e thashë, Policia jonë, djemtë e vajzat tona, që po rrezikojnë jetën për mbrojtje të sovranitetit, meritojnë që ne të gjithë te kemi një gjuhë të përbashkët dhe një veprim të përbashkët në mbrojtje të Kosovës”, ka deklaruar ajo.