Osmani ende s’i ka pranuar dorëheqjet e kryetarëve serbë

Kryetarët serbë të dorëhequr nuk e kanë njoftuar zyrtarisht presidenten Vjosa Osmani për largimin e tyre.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.

Vijimi pas dorëheqjeve rregullohet me akte juridike, ku presidentes i takon të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, thuhet në përgjigje.

Të hënën kryetarët e komunave serbe i kanë dorëzuar letërdorëheqjet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj ministrie, Arianit Abazi.