Osmani: Jemi të gatshëm për çdo skenar të Serbisë, jemi në kontakt të përditshëm me ndërkombëtarët

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova është e gatshme për çdo skenar të Serbisë. Ajo tha se është ne kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe partnerët ndërkombëtarë që të mbrohet Kosova.

Kështu u përgjigj kryetarja e shtetit, teksa u pyet për sulme të mundshme.

Ajo nga gazetarët është pyetur edhe për takimin me krerët e opozitës, ku tha se nuk ka pasur anulim të takimit me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Nuk ka pasur anulim, siç ka njoftuar edhe zyra ime, ka qenë çështje disa minutash, çështje e qartë protokollare. Natyrisht që dera e presidencës si institucioni në vend është gjithnjë i hapur, siç ka qenë edhe deri më tani në mënyrë qe me përfaqësuesit e partive opozitare të diskutojmë”, tha ajo.

Kryetarja e shtetit bëri të ditur se janë në koordinim dhe kontakt të përditshëm me partnerët ndërkombëtarë ne lidhje me sulmet e mundshme të Serbisë.