Osmani kërkoi përfshirje direkte të ShBA-së në dialog, çka i tha Hovenier?

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se janë shumë të përkushtuar  për të parë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse mund të pritet ndonjë lëvizje në ditët në vijim për ta çuar përpara këtë proces, Hovenier ka thënë se pret përpjekje të reja, duke shtuar se duhet të ecet përpara urgjentisht dhe se s’ka kohë për të humbur.

“Ne jemi shumë të përkushtuar për të parë përparim në dialog. Nuk mund të flas për veçanti, por pres përpjekje të reja sepse është urgjente. Siç e thashë edhe më parë, 24 shtatori tregoi se nuk kemi kohë për të humbur. Ne duhet të ecim përpara urgjentisht me arritjen e mirëkuptimit të përbashkët se si të zbatohen plotësisht, në mënyrë efektive, detyrimet që janë marrë nga të dyja vendet sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj”, ka deklaruar Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar para disa javësh përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA’së në dialog. Lidhur me këtë kërkesë, Hovenier ka thënë se nuk është i sigurt se sa më shumë Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në këtë proces, derisa ka shprehur mbështetje të plotë për Emisarin e BE’së, Mirosllav Lajçak.

“Ky është me të drejtë një dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është me vend, sepse në fund të fundit, stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë Bashkimit Evropian. Në fund të fundit, siç deklaroi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell në Ohër, këto angazhime që janë marrë duhet të bëhen pjesë e proceseve të anëtarësimit për të dyja vendet. Dhe meqë bëhet fjalë për një proces evropian me detyrime evropiane dhe angazhime evropiane, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të marrë drejtimin dhe lehtësimin e atij që në fund nuk është një dialog me Evropën, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë treguar sa e sa herë se sa seriozisht e marrim këtë, sa të përkushtuar jemi që ta shohim këtë çështje të zgjidhur me sukses. Miroslav Lajçak gëzon mbështetjen tonë të plotë. Ky dialog e gëzon mbështetjen tone”, ka thënë ambasadori.

Tutje, Hovenier ka thënë se kohën më të madhe e shpenzon në këto çështje dhe se ndonjëherë ndihet në siklet kur e pyesin se sa më shumë mund të përfshihet ShBA’ja në këtë process se sa që është e përfshirë tash.

“Unë shpenzoj më shumë kohë në këto çështje se në çdo gjë tjetër që bëj si ambasador amerikan në Kosovë. Kolegu im në Beograd është shumë i përfshirë. I dërguari ynë i posaçëm është shumë, shumë i përfshirë. Kështu që ndonjëherë jam në siklet kur njerëzit pyesin sa më të përfshirë mund të jemi kur mendoj se sa të përfshirë jemi tashmë. Në fund të fundit ne duam të shohim sukses për Kosovën. Duam të shohim sukses edhe për Serbinë. Dhe ne duam të shohim sukses për Bashkimin Evropian për t’i parë këto vende plotësisht në rrugën e integrimit në bllok, gjë që do të rriste qëndrueshmërinë, do të rriste përparimin dhe do të ndihmonte realizimin e kësaj pikëpamjeje që ne të gjithë e ndajmë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Ky është qëllimi përfundimtar”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për Zërin e Amerikës.