Presidentja Vjosa Osmani e ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe shtetin shqiptar për mbështetjen që i ofrojnë vazhdimisht Kosovës.
Ajo, në një konferencë për media, ka deklaruar se kombi shqiptar vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon.
“Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, ka thënë Osmani.
Ajo foli për Serbinë që tha se “akoma vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut”. “Është detyrim i secilit prej nesh që interesat kombëtare t’i vëmë para se gjithash, të koordinohemi në baza ditore, të flasim me një zë të unifikuar”, tha Osmani.
“Siç kemi pasur nevojë edhe më parë, sërish kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, sidomos që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim”, tha ndër tjerash Osmani, duke përmendur synimin e vendit për t’u anëtarësuar në NATO e BE.
Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, Osmani tha se “ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, e po ashtu edhe për përkrahjen e partnerëve euroaltantikë”.
“…Natyrisht që pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo”, tha ajo.
Osmani tha se Begaj ka qenë “shumë aktiv” në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar anëtarësimin e Kosovës në çdop organizëm ndërkombëtar.