Osmani pret në zyre Maqedoncin e Jasharin: Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jasharin.

Osmani ka thënë se Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO.

“Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO.  Sot përgëzova Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari për angazhimin e institucioneve tona të mbrojtjes në misionin e shenjtë që kanë”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, së fundi Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vlerë 75 milionë dollarë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të raketave Javelin, derisa tash kërkesa i shkon Kongresit Amerikan, prej ku fillon procedura zyrtare.