Osmani shkon në Spanjë, do të flasë me liderët evropian për “agresionin e Serbisë në Kosovë”

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Granada të Spanjës, ku do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se Osmani ka udhëtuar për atje me ftesë të presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel dhe kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez.

“Ky samit do të mbledhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit evropian si dhe liderët e institucioneve evropiane, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë në mënyrë që Evropa të jetë më e qëndrueshme, e begatë dhe gjeostrategjike.” – thuhet tutje.

Presidentja thuhet se gjatë kësaj vizite do të zhvillojë diskutime në lidhje me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës.