Osmani: S’ka pasur anulim të takimeve me opozitën, jam e gatshme për diskutime kurdo që dëshirojnë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur një ditë pasi dështoi takimi i saj me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit tha dje se presidentja Osmani s’e ka respektuar orarin e takimit, ndërsa nga Presidenca thanë se Haradinaj s’deshi të presë.

Në një prononcim për media, Osmani tha se dera e saj është e hapur për takime të mëtutjshme, që sipas saj, të unifikojnë qëndrimet për temat e rëndësishme të vendit.

Nuk ka pasur anulim. Siç edhe e kanë njoftuar nga Zyra ime ka qenë çështje disa minutëshe, çështje protokollare dhe natyrisht se dera e Presidencës është gjithnjë e hapur siç ka qenë deri më tani, në mënyrë që takimet me partitë opozitare të diskutojmë dhe t’i marrim parasysh qëndrimet e tyre dhe për aq sa është e mundshme t’i përfshijmë në qëndrimet institucionale e Republikës së Kosovës”, ka thene Osmani.

Ftesën e Osmanit për takim e refuzoi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi deklaroi se konsideron që takimet e tilla nuk japin asnjë efekt real për çështjen e draft-statutit të Asociacionit.

Ndryshe nga dy krerët e partive opozitare, veproi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili u takua me Osmanin të hënën.

Në këtë takim sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes u diskutua për draft-statutin e Asociacionit dhe për zhvillimet e tjera në vend.

Më tej, Presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit“, thuhet në njoftim.