“Pa bukë e pa ujë” – zyrtari i MPJ’së thotë se policët e rrëmbyer po trajtohen çnjerëzisht nga autoritetet serbe

Shefi i stafit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, ka thënë se policët e kidnapuar nga forcat serbe, po keqtrajtohen në Serbi.

Në një reagim në Twitter, Jakupi ka thënë se policët po privohen nga ushqimi, ndërsa njëri prej tyre, që ka nevojë për trajtim mjekësor, po neglizhohet nga autoritetet serbe.

“Raporte thellësisht shqetësuese në lidhje me trajtimin e tmerrshëm të tre policëve tanë të rrëmbyer nga Republika e Kosovës, aktualisht të ndaluar në Kralevë. Pavarësisht se u është zgjatur paraburgimi për 30 ditë me akuzën për ‘posedim të paautorizuar të armëve’, krim i vërtetë janë kushtet e turpshme me të cilat po përballen.

Të privuar nga ushqimi dhe uji, zyrtarët i janë nënshtruar një trajtimi krejtësisht çnjerëzor”, ka thënë ai duke shtuar se njëri prej policëve “që ka nevojë për kujdes mjekësor, është lënë pas dore, duke iu dhënë vetëm një injeksion që nga rrëmbimi”.