Pa rrip të sigurimit, pa regjistrim të veturës e me telefon – Policia shqipton gjobat e para me Ligjin e ri

Zyrtarët policorë edhe sot si çdoherë patrullonin në terren, por dënimet që i shqiptonin ishin më të larta, kjo pasi sot ka hyrë në fuqi Ligji i ri për rregullat e trafikut i cili parasheh gjoba të larta për ata që i thyejnë rregullat në komunikacion.

Ekipi ynë sot qëndroi për pak kohë tek “Rrethi i Flamurit”, në Prishtinë ku patrulla policore shqiptoi një dënim pasi një pjesëmarrës në trafik nuk e kishte vendosur rripin e sigurisë, ishte me telefon në dorë dhe nuk e kishte regjistruar veturën.

Në një intervistë për Telegrafin, nënkolonel Jeton Rexhepi, njëherësh drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që nga stafi e deri te dokumentet e nevojshme tjera përcjellëse sa i përket implementimit të Ligjit.

Ai tha se Ligji ka për qëllim rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronës së pjesëmarrësve në trafik, lehtësimin e zhvillimit normal të rrjedhës së trafikut si dhe mbrojtjen e ambientit, duke përcaktuar rregullat bazë të sjelljes së pjesëmarrësve në trafikun rrugor.

“Ligji ka për qëllim ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor, po ashtu mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pronës, mbrojtjen e ambientit… Bazuar në të gjitha analizat e shkaktarëve të aksidenteve apo rastet e aksidenteve qoftë ato me lëndime, me fatalitet apo me dëme disa nga kundërvajtjet nuk kanë dhënë kontributin dhe nuk kanë dhënë atë që pritet sipas sanksionimit. Për këtë arsye me ligjin e ri janë paraparë dhe shumë përshkallëzime sa i përket kundërvajtjeve në trafikun rrugor, qoftë në gjobë apo në masa mbrojtëse dhe në pikë negative, deri te konfiskimi i automjetit me të cilin rrezikohet siguria në trafikun rrugor”, ka thënë Rexhepi.