Pacientja denoncoi spitalin ALOKA për trajtim të pandërgjegjshëm, policia fillon hetimet

Në mungesë të shërbimeve të mirëfillta në spitalet publike, qytetarët e Kosovës u drejtohen institucioneve shëndetësore private. Por, edhe këto institucione shpeshherë denoncohen nga qytetarët për trajtime të pandërgjegjshme.

Pacientja V.G. ka bërë denoncim në Policinë e Kosovës kundër Spitalit Aloka lidhur me trajtimin e pandërgjegjshëm ndaj saj, me pretendimet se ka bërë rezonancë magnetike dhe ka marrë anestezion për komplet trupin. Ajo pretendon se kur është zgjuar nga anestezioni, sapo kishte arritur në shtëpi kishte vërejtur se në krahun e djathtë kishte hematoma (mavijosje), dhimbje të theksuara të krahut dhe se i ishte ënjtur krahu dhe shuplaka e dorës.

Demokracia.com ka mësuar se denoncimin e ka bërë në fillim të kësaj jave dhe me autorizim të prokurorisë kanë nisur hetimet.

Lidhur me këtë rast, gazeta ka kërkuar një përgjigje nga Spitali Aloka. Zyrtarët e spitalit kanë thënë se ekzaminimet në Aloka realizohen në përputhje me të gjitha procedurat e rregullta mjekësore, me kujdes maksimal dhe profesionalizëm.

“Rezonancat magnetike mund të bëhen me dhe pa anestezion. Në rastet kur pacienti kërkon ta realizojë me anestezion, përdoret anestezion i përgjithshëm intravenoz (siç është praktikë standarde) ku anestetiku administrohet përmes venës. Kjo procedurë gjithmonë realizohet nga specialisti anesteziolog me përvojë shumëvjeçare. Gjatë procedurës së anestezionit, mund të ndodhin hematoma në vendin e dhënies së anestetikut, të cilat janë normale dhe zakonisht kalojnë spontanisht brenda pak ditëve. Kemi një histori të gjatë dhe të suksesshme në ofrimin e kujdesit shëndetësor, veçanërisht në imazheri si rezonanca, dhe punojmë sipas protokoleve standarde ndërkombëtare. Synojmë të sigurojmë cilësi të shkëlqyer në çdo shërbim!”, thuhet në përgjigjen e këtij spitali për gazetën.

Pas mavijosjes së dorës, pacientja mësohet se ishte drejtuar në QKUK për trajtim dhe pastaj e njëjta është drejtuar në polici.