Pahor po përgatit një draft për dialogun Kosovë – Serbi, kërkon koordinim me Borrellin e QUINT-in fillimisht

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka njoftuar se është duke përgatitur një draft-dokument lidhur me dialogun Kosovë – Serbi, për të cilin fillimisht dëshiron të koordinohet me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe shtetet e QUINT-it.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili gjatë periudhës së fundit është ndër personat që është përmendur se mund të pasojë Miroslav Lajçak, sot ka njoftuar se është duke përgatitur një draft-dokument lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.

Përmes një postimi në platformën “X”, Pahor ka thënë se për këtë çështje fillimisht dëshiron të koordinohet me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell dhe shtetet e QUINT-it.

“Lidhur me pyetjet që po merr ish-Presidenti Pahor në pritje të rolit të tij si kandidat për EUSR për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të BB-së, ai aktualisht nuk po i përgjigjet asnjë pyetjeje apo kërkese për intervistë deri në njoftimin e dytë”, ka shkruar Pahor.

“Ish-Presidenti Pahor është duke përgatitur një draft skicë për vazhdimin e dialogut, por ai dëshiron që fillimisht ta koordinojë atë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Borrell dhe vendet anëtare të BE-së, veçanërisht vendet e Quintit”, ka shkruar ish-presidenti slloven.