Paralajmërimi i Hasanit: Sjellja e Kurtit e papranueshme, pres sanksione të mëtejshme

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka komentuar marrëdhënien e trazuar të kryeministrit Albin Kurti me ndërkombëtarët.

Në një intervistë për Express-in, profesorit Hasani ka theksuar se sjellja e Kurtit është e njëanshme dhe e papranueshme.

“Dallimi është substancial. Ajo që bëri Borrell është në mandatin e tij dhe për këtë ka pasur pajtim të palëve në Ohër. Ajo që ka bërë Kurti është rezistencë ndaj zbatimit të zotimeve ndërkombëtare të marra përsipër në emër të Kosovës me vullnet të lirë. Qasja e Kurtit është e njëanshme dhe e papranueshme, sepse detyrimet ndërkombëtare që merren përsipër nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe as të iket nga zbatimi i tyre në mënyrë arbitrare.” – tha ai.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka theksuar se pret sanksione të mëtejshme ndaj Kosovës për shkak të refuzimit të Kurtit.

“Pranimi sigurisht që do të lehtësonte komunikimin e Kosovës me BE-në dhe do të ndikonte në heqjen e sanksioneve. Krejt natyrshëm pres që refuzimi i Kurtit të hasë në sanksionim të mëtejshëm të Kosovës brenda strukturave të BE-së, sepse një gjë e tillë është e përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, ku vetë BE përmes trupave të saj bën vlerësimin e hapave që palët ndërmarrin në kuadër të dialogut të institucionalizuar në Ohër në mënyrë përfundimtare.” – shtoi ai.