Parashikimi i ekspertëve amerikanë: S’ka paqe në rajon, derisa Kosova e Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën

Ish-gjenerali, komandanti i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë, Ben Hodges dhe Drejtori i Lartë i Politikave për Qendrën për Kontrollin dhe Mospërhapjen e Armëve, John Erath, konsiderojnë se nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në rajon derisa Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën.

Ballkani ka jetuar në një ankth pasigurie që nga fillimi i shekullit 21.

Brishtësia e paqes ende po vazhdon, teksa paralajmërimet për paqëndrueshmëri në rajon po shtohen.

Drejtori i Lartë i Politikave për Qendrën për Kontrollin dhe Mospërhapjen e Armëve, John Erath, thotë se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ekziston frika se ngjarjet e rënda të viteve të 90-ta mund të përsëriten sërish.

Eksperti amerikan konsideron se nuk do të ketë paqe të qëndrueshme derisa Kosova dhe Serbia nuk e gjejnë gjuhën e pajtimit dhe ta njohin përfundimisht njëra-tjetrën.

“Situata e sigurisë mbetet shumë e ndjeshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj duhet t’i kushtohet vëmendje. Shumë qytetarë nuk i kanë harruar konfliktet e viteve te 90-ta, dhe disa politikanë që nga ajo kohë periudhë vazhdojnë të jenë akoma në pushtet. Prandaj ekziston frika së sërish mund të përsëriten këto ngjarje të rënda. Unë konsideroj se nuk do të ketë paqe të qëndrueshme derisa nuk ka pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, dhe shtetet ta njohin përfundimisht njëra tjetrën. Duhet të punohet shumë më shumë që ketë një marrëveshje të qëndrueshme mes palëve”, thotë John Erath- drejtor i lartë i politikave për qendrën për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve.

Erath, thotë se nuk mjafton vetëm prezenca e trupave te NATO-s për ta ruajtur paqen në rajon, derisa popujt nuk tregojnë më shumë përgjegjësi për t’i shmangur konfliktet.

Duke folur për Kosovën, ai thotë se vendi ka bërë progres megjithatë mbetet akoma shumë punë për t’u anëtarësuar në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i NATO-s është shumë i rëndësishëm për paqen në rajon por i takon më shumë popujve të tregojnë përgjegjësi dhe t’i shmangin konfliktet e panevojshme. Një përgjegjësi të tillë e kanë edhe liderët e shteteve me politikat që ata bëjnë. Kur të gjitha shtetet e rajonit integrohen në Bashkimin Evropian, atëherë do të jetë një situatë krejtësisht tjetër sepse kufijtë do të kishin më pak kuptim. Duhet thënë se Kosova është në një pozitë më të vështirë për shkak se akoma nuk është anëtare e plotë në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, dhe kjo natyrisht që kjo i komplikon gjërat. Megjithatë nuk mund të mohohet se Kosova ka bërë një progres të mirë përgjatë këtyre viteve që kur është shpallur pavarësia”.

Kurse, ish-gjenerali, komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë, Ben Hodges, thotë se Kosova duhet të qëndroj shumë afër Perëndimit në këto kohëra sfiduese

“Nuk mendoj se Rusia është e interesuar që të ketë konflikt në rajon por mendoj se do të bëjë gjithçka që t’i parandaloj shtetet e Ballkanit të afrohen me Perëndimin. Prandaj është shumë e rëndësishme prezenca e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë për të ofruar siguri për të gjitha komunitetet, me të vërtetë është një periudhë sfiduese. Është në interesin e Kosovës që të ketë lidhje të ngushta me Perëndimin”, shprehet Hodges për tëvë1.

Në raportin e publikuar nga Inteligjenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet se përgjatë vitit 2024, rajoni i Ballkanit mund të përballet me një rrezik të dhunës së lokalizuar ndëretnike.