Pas prishjes së koalicionit, lirohen nga detyra dy drejtorët e PDK-së në Podujevë

Dy drejtorët e Komunës së Podujevës nga radhët e PDK-së, Antoneta Ejupi drejtoreshë e Administratës, Fatmir Rudari drejtor i Bujqësisë, janë liruar nga këto detyra nga kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi.

Sipas njoftimit të kësaj komune në Facebook, vendimi është marrë me kërkesë të këtyre dyve.

Bulliqi ndërkaq i ka falënderuar dy drejtorët për “punën, kontributin dhe korrektësinë që kanë treguar përgjatë kësaj kohe sa kanë udhëhequr me këto dikastere”, si dhe ju ka uruar suksese e mbarësi në angazhimet e tjera, raporton Klan Kosova.

Kujtojmë se këtë vendim, Ejupi dhe Rudari e kanë marrë pas vendimit të PDK-së për prishje të koalicionit me LVV-në në nivel lokal, vendim ky i marrë nga Kryesia e partisë opozitare si pasojë e zhvillimeve të fundit në vend për sa i përket situatës së sigurisë dhe raporteve të vendit tonë me aleatë.