Pas sulmit terrorist në Banjskë, KFOR po pajiset me armatim më të rëndë luftarak

Një komandant i lartë i NATO-s tha të martën se aleanca e pajisi forcën e saj paqeruajtëse në Kosovë me armë të “fuqisë luftarake”, pas sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës me 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Admirali Stuart B. Munsch i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli të Italisë tha se batalioni prej rreth 200 trupash nga Mbretëria e Bashkuar dhe 100 të tjerë nga Rumania “po sjellin armatim më të rëndë në mënyrë që të ketë fuqi luftarake” për Kosovën.

Paqeruajtësit e KFOR-it — të përbërë nga rreth 4,500 trupa nga 27 vende — kanë qenë në Kosovë që nga qershori 1999, kryesisht me armatim të lehtë dhe automjete, shkruan AP, transmeton Gazeta Express.

Munsch tha se aleanca ishte gati të shtonte më shumë trupa dhe armatime për të ruajtur paqen.

“NATO po mban forca të mëtejshme të pajisura me armatim edhe më të rëndë të aftë për fuqi të mëtejshme luftarake në një gjendje të lartë gatishmërie që mund të vendoset nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, tha Munsch që ka qëndruar në Kosovë dy ditët e fundit.

Komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia tha se KFOR-i mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e raporteve.

“Situata mbetet e paqëndrueshme dhe lehtë mund të përshkallëzohet. Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në zonë”, tha ai.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE, i cili filloi në vitin 2011, ka dhënë pak rezultate, shkruan tutje AP.