Pas zhvillimeve në Veri, kërkohet krijimi i një fronti të përbashkët politik kombëtar

Shoqata “Atlantiku” në New York ka reaguar përmes një komunikate në lidhje me zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, duke thënë se po e përcjellin me vëmendje të shtuar.

Ata i kanë shprehur ngushëllime familjarëve të policit të vrarë, Afrim Bunjaku, ndërsa policëve të plagosur i kanë uruar shërim dhe rikthim të shpejtë në detyrë.

“Atlantiku” ka vlerësuar mbështetjen e ambasadorit Hovenier për institucionet e Kosovës.

“Vlerësojmë Ambasadorin Hovenier për mbështetjen e tij dhënë rendit kushtetues dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, dëshmi kjo e miqësisë së palëkundur e të qëndrueshme afatgjate në mes të ShBA-së dhe popullit të Kosovës.”

Ata kanë ftuar faktorin politik shqiptar në Ballkan, sidomos në Kosovë për “unfikim të qëndrimeve dhe veprimeve politike kundrejt politikës agresive të Serbisë dhe për krijimin e një fronti të përbashkët politik kombëtar”.

“Në emër të ish-ushtarëve dhe anëtarësisë shprehim gatishmërinë dhe mbështetjen tonë në çdo rast për sovranitetin, institucionet, lidershipin demokratik dhe forcimin e shtetit të Kosovës.”

Komunikata e plotë:

Shoqata “Atlantiku” po përcjell me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, ku në mbrojtje të lirisë, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe sigurisë ra polici Afrim Bunjaku e u plagosën dy kolegë të tij. Në emër të krejt anëtarësisë i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Bunjaku, ndërsa policëve të plagosur ju urojmë shërim dhe rikthim të shpejtë në detyrë.

Shprehim mirënjohjen për organet e rendit të Republikës së Kosovës, të cilat me profesionalizmin e tyre parandaluan sot skenarin serb për të shkaktuar një gjakderdhje të re të përmasave të mëdha, që do të çonte në një luftë të re shqiptaro-serbe.

Vlerësojmë Ambasadorin Hovenier për mbështejten e tij dhënë rendit kushtetues dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, dëshmi kjo e miqësisë së palëkundur e të qëndrueshme afatgjate në mes të ShBA-së dhe popullit të Kosovës.

Ftojmë faktorin politik shqiptar në Ballkan dhe sidomos në Kosovë për një unfikim të qëndrimeve dhe veprimeve politike kundrejt politikës agresive të Serbisë dhe për krijimin e një fronti të përbashkët politik kombëtar.

Në emër të ish-ushtarëve dhe anëtarësisë shprehim gatishmërinë dhe mbështetjen tonë në çdo rast për sovranitetin, institucionet, lidershipin demokratik dhe forcimin e shtetit të Kosovës.