PDK dhe LDK: S`jemi kundër Asociacionit, jemi kundër marrëveshjes pa njohje të ndërsjellë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ngadalë po e qartësojnë pozicionin e tyre ndaj Planit të BE-së. Pas shqetësimeve të ndërkombëtarëve ndaj qëndrimeve të tyre, përfaqësuesit e këtyre partive kanë treguar se për cilat pika të dokumentit kanë mospajtime dhe rezerva.

Ata kanë bërë me dije se nuk kanë ndryshuar qëndrim në raport me Asociacionit, të cilin e kishin përkrahur edhe më herët.

Pas takimit me emisarin posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbisë, Miroslav Lajçak, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të bëhet

“Sot nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, nuk kemi një marrëveshje finale, sot nuk kemi një njohje të ndërsjellët. Sot kemi një marrëveshje të përkohshme. Sot e kemi Asociacionin të cilin nuk e kundërshtojmë sepse nuk e kemi kundërshtuar as më herët sepse ai edhe kur të themelohet duhet të jetë në pajtim më Kushtetutën e Kosovës pa dyshim, por kemi nene te caktuar në marrëveshje që rrezikojnë përtej Asociacionit, e çka është me e keqja edhe përtej Kushtetutës”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka thënë se PDK-ja vazhdimisht e ka përkrahur formimin e Asociacionit sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë se kjo parti është për formimin e Asociacionit.

“Nuk është se LDK-ja ka ndërruar qëndrimin për çështjen e Asociacionit. LDK-ja nuk është kundër Asociacionit, LDK-ja është që çështja e dialogut të jetë çështje prioritare në raport me agjendën tonë të fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar dhe respektimin e marrëveshjeve të gjithave që i kanë nënshkruar Qeveritë e Kosovës”, ka deklaruar Selmanaj.

Mungesa e njohjes, problemi kryesor
Përfaqësuesit e dy partive kryesore politike kanë treguar se problemi kryesor i dokumentit të BE-së është mungesa e njohjes reciproke.

Gjithashtu, ata kanë thënë neni 7 i planit është shumë i rrezikshëm për Kosovën.

I pari i PDK-së ka deklaruar se rezervat e tij për këtë plan ia ka shprehur edhe diplomatit të BE-së.

“Lajçakut ia shpreha edhe njëherë qëndrimin e PDK-së, rezervat që i kemi sa i përket marrëveshjes për arsyet të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Ne kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut në vazhdimësi duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale me njohje të ndërsjellët. Ky ka qenë jo vetëm qëndrimi ynë por edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë – fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme jo me njohje të ndërsjellët por me asociacionin në qendër”, u shpreh Krasniqi.”, ka thënë ai.

Ai ka bërë me dije se me këto probleme PDK-ja nuk mund ta përkrah marrëveshjen as në Kuvendin e Kosovës, nëse dërgohet për ratifikim.

“Prej njohjes së ndërsjellë kemi njohjen eventuale. Ky është shqetësimi jonë. Është obligim që të sillet në Kuvend, kur do që të sillet në Kuvend nëse është ky aneks nuk do ta ketë votën e PDK-së. Por do ta shohim marrëveshjen finale”, është shprehur Krasniqi.

Edhe nënkryetari, Lutfi Haziri ka bërë me dije se LDK-ja nuk mund ta mbështesë Qeverinë lidhur me propozimin e BE-së.

“Si mund të bëhet kjo, njëanshëm? Na tregoni… pra, opozita të reagojë njëanshëm dhe të mbështesë Qeverinë në çështjet, për të cilat nuk e dimë se çka kanë negociuar, çka ka premtuar dhe çka pret të realizohet në Ohër? Ne ende nuk jemi njoftuar. Ne e kemi detyruar kryeministrin që të vijë dhe të flasë [në Kuvendin e Kosovës] me mocion, që është masë urgjente. Por, nuk ka normalitet dhe përderisa nuk ka normalitet ky proces, ne nuk i besojmë dhe marrëveshja është në dëm të Kosovës. Kjo është… Pikë”, ka vlerësuar Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe nga PDK-ja dhe LDK-ja, AAK-ja është pozicionuar pro planit të BE-së.

Kjo parti argumenton se dokumentin interes nacional i Kosovës dhe si i tillë duhet të përkrahet.

Pas kritikave të PDK-së dhe LDK-së për planin kanë reaguar disa ambasada perëndimore në Kosovës.

Ambasada e SHBE-së, Gjermanisë dhe e Francën janë shprehur të shqetësuara me kritikat e opozitës rreth dokumentit të BE-së.

Ato kanë kërkuar që partitë opozitare të jenë konstruktive në këtë proces.