PDK: Zgjedhje të parakohshme sa më parë

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë së Partisë, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

Partia më e madhe opozitare ka vlerësuar se gjendje e rëndë në vend vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.

Sipas PDK-së, përfshirja e Qeverisë në afera të ndryshme shpërfaqin karakterin e vërtetë të kësaj Qeverie.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes të gjitha organeve dhe zyrtarëve të saj, mbetet e angazhuar që të mbrojë interesin e shtetit dhe të qytetarëve. Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme. Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, është thënë në komunikatën e PDK-së.

Në këtë mbledhje, Kryesia e PDK-së ka përjashtuar nga të gjitha strukturat e saj anëtarët Leonora Morina – Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin.

Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”, është thënë në komunikatë.