Peci: Serbët që punojnë në komunën e Zveçanit kanë frikë nga Lista Serbe, në punë vijnë me taksi që të mos i identifikojnë veturat

Serbët që jetojnë në komunat veriore kanë frikë të punojnë në institucionin publik me kryetarët shqiptar nga hakmarrja e Listës Serbe.

Edhe ata që aktualisht janë në marrëdhënie pune në Komunën e Zveçanit kujdesen që të mos shfaqen në kamera, ndërsa rrugën për në punë e bëjnë me taksi në mënyrë që të mos identifikohen me veturat e tyre.

“Unë i shoh edhe këta zyrtarë që janë këtu në Komunë duke punuar kanë një frikë të madhe nga Lista Serbe. Udhëtojnë, sidomos një pjesë që është më afër në këmbë e të tjerët me taksi, e nuk guxojnë të vijnë me makinë të tyre që të shihen makinat e tyre para Komunës se vetë kanë treguar se mund t’iu djegin nga ai grup, ka frikë, me të vërtetë kanë frikë këta prej Listës Serbe”, tha kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Kur kanë kaluar një vit që kur u ndryshuan pushtetet, në Komunën e Zveçanit ende ka mungesë të zyrtarëve komunalë, megjithatë ata që janë duhet të kryejnë disa punë.