Përçarja në partinë e dytë më të madhe të shqiptarëve, çka po ndodh në RMV

Arben Taravari ka vendosur që partia të cilën ai e udhëheq, Aleanca për Shqiptarët, të shkojë në koalicion me partitë opozitare shqiptare para zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.

Për ata më të painformuarit: është koalicioni që e mbështet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ziadin Sela, ish-kryetari i ASH-së, që është partia e dytë më e madhe e shqiptarëve në RMV, ka kundërshtuar ashpër dhe një ndarje partiake tashmë duket e pashmangshme.

Me kë do të shkojë në koalicion Aleanca për Shqiptarët? Kjo është pyetja më e rëndësishme dhe e përsëritur shpesh në Maqedoninë e Veriut, ndërsa po afrohen zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Ziadin Sela, ish-kryetar i ASH-së, u indinjua fort pasi kryetari i partisë, Arben Taravari befasisht publikoi një postim në Facebook të shtunën, ku kërkoi besimin e bashkë partiakëve për të vendosur që partia t’i bashkohet koalicionit të partive opozitare shqiptare, ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa.

Kësaj do t’i gëzohej edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili pak ditë para se Taravari të pozicionohej hapur, atë dhe kryetarët tjerë të partive opozitare shqiptare në koalicion, Bilall Kasamin, Izet Mexhitin e Afrim Gashin i priti në Qeveri.

Taravari shkroi që në fillim se pozicionimi i tij erdhi “pas disa javësh konsultime e takime të shpeshta, brenda dhe jashtë subjektit” por edhe, pas “një reflektimi të thellë personal” që ai tha se ka pasur. “Duke marrë parasysh sugjerimet sa të vlefshme aq edhe dashamirëse të të gjithë miqve, anëtareve dhe përkrahësve, kam zgjedhur të dëgjoj edhe zërin e popullit që sot po flet më qartë se kurrë”, shkroi ai.

“Duke besuar pa lëkundje në bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin tonë të përbashkët, kërkoj besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend! Shumica e lexon historinë, por rrallë ka raste ku të jepet mundësia ta shkruash atë. Sot këtë Mundësi e kemi para nesh. Le të jemi ne ata që do e shkruajnë Historinë!”, shkroi Taravari.