Përfundon takimi mbi dy orësh i drejtuesve të Sindikatës së Policisë me Sveçlën

Mbi dy orë ka zgjatur takimi i drejtuesve të Sindikatës së Policisë së Kosovës me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Përgjatë kësaj kohe është diskutuar detajisht për 14 kërkesat e sindikatës drejtuar Ministrisë së Brendshme.

Kryetari i kësaj sindikate Imer Zeqiri ka thënë për Klankosova.tv se janë pajtuar që kërkesat të analizohen në detaje deri në një takim të radhës që pritet të ndodhë pas vitit të ri.

“Kërkesat tona do të analizohen dhe më pas do të vendosen prioritetet për takimin e ardhshëm”, është shprehur Zeqiri. Ai ka thënë se nuk është caktuar datë, derisa ka theksuar se atmosfera brenda takimit të sotëm ka qenë e mirë.

Ndërkaq, në një prononcim para mediave pas këtij takimi, ai ka shtuar se sindikata që ai e drejton e kupton se që të gjitha këto kërkesa, nuk mund të realizohen menjëherë.

“Është shumë normale që të gjitha këto kërkesa, edhe ne po deklarohemi që nuk mund të realizohen menjëherë. Mirëpo ne kërkuam edhe u dakorduam bashkë me ministrin që në takimin e ardhshmen të vendosim se prioritete për të cilat kërkesa janë të mundshme që të realizohen për Policinë e Kosovës. Ka qenë një bisedë konstruktive dhe shpresëdhënëse të gjitha këto kërkesa dhe pakënaqësitë të realizohen me dialog. Unë po shpresoj se kështu do të rrjedh edhe situata në vazhdimësi dhe në takimin e ardhshëm do t’i vendosim prioritet për cilat kërkesa mund të realizohen tani e cila nuk munden”, tha  Zeqiri.