Përpjekja e Lajçak drejt fundit, emisari i zhgënjyer s’beson se Kosova e Serbia janë të gatshme për normalizim

Miroslav Lajçak duket i zhgënjyer dhe aspak optimist për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa mandati i tij i ndërmjetësit po i afrohet fundit. I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun nuk beson se këto dy vende janë të gatshme për këtë. Në shtator ai pritet të tërhiqet nga kjo përpjekje për t’u zhvendosur në Zvicër si ambasador i BE-së.

Është pothuajse e sigurt që i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak s’do të vazhdojë ta mbajë këtë post. Derisa mandati i tij po shkon drejt fundit dhe ai pritet ta marrë një detyrë tjetër pas disa muajsh, sllovaku të hënën shprehu zhgënjimin e tij me procesin të cilin e ndërmjetëson qe 4 vjet.

Lajçak, i cili çdoherë përsërit thirrjen që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksin e saj, e bëri këtë edhe dje në forumin “BE-ja takon Ballkanin” në Sofje. Por këtë herë nuk u shfaq aspak optimist se gjërat do të lëvizin.

“Me marrëveshjen e Ohrit, që është një udhëzues drejt normalizimit, më nuk mund të pyesim se çfarë duhet bërë dhe si ta bëjmë. Por, e vërteta është se kam shpresuar që deri sot shumica e pikave të zbatoheshin. Por, ka ndodhur shumë pak. Pse kështu, pasi normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është çështje shumë e ndjeshme. Nuk besoj se palët janë të gatshme për këtë, nuk besoj se shoqëritë janë të gatshme për këtë”, tha Lajçak.

“Çfarë unë shoh është se sa herë që ka përparim, dy liderët Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq kritikohen ashpër nga opozita. Por, në realitet ata do të duhej të përgëzoheshin që bëjnë përparim drejt normalizimit, pasi është gjë e mirë për qytetarët. Është e qartë që nuk mund të bësh përparim drejt normalizimit kur ke kriza në terren”, shtoi ai.

E pranoi se periudha e tij në këtë detyrë është karakterizuar me shumë luhatje. “Kemi pasur periudha normalizimi e pastaj menaxhim të krizave, kështu ka qenë gjithë mandati”, tha Lajçak, duke përmendur sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ai foli për nevojën e krijimin e një atmosfere të mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për ta arritur këtë, ai tha se duhet që “rajoni të besojë se është momenti për zgjerimin e BE-së”.

“Në momentin që partnerët tanë e kuptojnë se progresi në normalizim çon te progresi në rrugën e tyre drejt BE-së, atëherë do të shohim përparim të madh”, tha Lajçak, duke shtuar se ky dialog është “procesi më strategjik në Ballkanin Perëndimor”, dhe se ai ka ndikim në të gjithë rajonin./Express