Përplasje në Komisionin Hetimor për MPJD-në, pushteti lëshon mbledhjen

Partia në pushtet ka lëshuar mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ky komision mbajti takim me ekspertët e angazhuar, derisa pati kritika për listën me dëshmitarët që do të dëshmojnë.

Opozita pati ankesa që MPJD-ja nuk ka dërguar të gjitha dokumentet që janë kërkuar nga komisioni dhe se në mungesë të dokumenteve lista nuk përfshin të gjithë dëshmitarët.

Në anën tjetër, anëtarët e pushtetit kërkuan që kjo listë të mos votohet sot dhe t’u jepet kohë edhe anëtarëve të komisionit që t’i japin propozimet e tyre që lista të kompletohet.

Pas diskutimeve, deputetët e pushtetit lëshuan mbledhjen.

Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj, ka thënë se ekspertët e angazhuar janë Gëzim Kolgeci, Shpend Shabani dhe Shkëlqim Jakupi.

“I kemi angazhuar ekspertët Gëzim Kolgeci, Shpend Shabani dhe Shkëlqim Jakupi. Ka mungesa në kompletimin e materialit qe na duhet, e këta e kanë hartuar një listë për dëshmitarët”, ka thënë ajo.

Kolgeci ka thënë se lista me dëshmitarë është krijuar duke u bazuar në dokumentacionet që kanë pasur në dispozicion.

“Lista e dëshmitarëve është krijuar mbi bazën e dokumenteve që i kemi në dispozicion dhe që është në objekt hetimi. Kemi pasur edhe dilema me ekspertë se a duhet të thirren edhe kategori të tjera. Për secilën kategori se pse janë prezantuar dëshmitarët janë dhënë”, ka thënë ai.