Përurohet rruga “Adem Demaçi” në Çair, Kurti: Akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kryeministri i vendit, Albin Kurti, po qëndron në një vizitë në Maqedoni të Veriut.

Gjatë qëndrimit në Komunën e Çairit, Kurti mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës me emrin “Adem Demaçi”.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, ai e cilësoi këtë ngjarje si shenjim i një kohe me një emër: “kohës së shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi e cila mes shqiptarëve e prodhoi një njeri simbol të lirisë: Bacin Adem Demaçi”.

Gjatë deklarimit të tij, kryeministri Kurti rikujtoi se si “Demaçi, veprat e të cilit i kushtuan plot 28 vite të kaluara nëpër burgje, frikësoi dy liderët diktatorë, Josip Broz – Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Krushqev i ish-Bashkimit Sovjetik, të cilët ishin kujdesur që para vizitës së tyre në Shkup, 60 vite më parë, ta burgosnin Adem Demaçin”.

“Shtypësit dhe mohuesit e lirisë, nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përveçëm njeriu, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, u shpreh ai.

Kësisoj, duke e emërtuar këtë rrugë në Çair me emrin “Adem Demaçi”, kryeministri tha se po shënjohet një triumf i lirisë “në kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore”.

Në këtë përurim ishin të pranishëm edhe mbesa e veprimtarit Adem Demaçit, Fitore Shahini, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Zëvendës-shefi i Misionit të Kosovës në Maqedoni të Veriut, Prindon Sadriu, deputetë e ish-deputet të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e qytetarë shqiptarë të Çairit dhe të gjithë Shkupit.

Sipas agjendës, Kryeministri Kurti pritet të arrijë në Komunën e Tetovës për të realizuar aktivitetet dhe takimet e parapara në kuadër të kësaj vizite e cila përfundon me manifestimin mirëseardhës në sheshin “Iliria” të Tetovës.