Kosova dhe Serbia kanë përfunduar edhe një rund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua më 1 shkurt në Kosovë.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.
“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.
“Kjo është ajo që më shqetëson shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, shtoi Petkoviq.
Kryenegociatori serb tha se Beogradi do të vazhdojë bisedimet për të arritur një zgjidhje për këtë çështje, teksa paralajmëroi takimin e radhës për prill.
Ai përsëriti se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.
“Ky është thelbi i propozimit tonë”, tha ai.