Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, tha kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.
Duke folur për gazetarë në kryeqytetin belg, Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai.
Ai i bëri këto deklarata pas takimit trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.