Petkoviq “vajton”: Pranimi i Kosovës si anëtare e asociuar e NATO-s është një shpërblim tjetër për terrorin ndaj serbëve

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se pranimi i Kosovës si anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s ekspozoi të gjithë politikën e standardeve të dyfishta të Perëndimit.

Sipas tij, ky është një tjetër shpërblim për të gjitha shkeljet e marrëveshjes dhe terrorin ndaj popullit serb në Kosovë.

“Cilat janë sanksionet perëndimore ndaj Prishtinës, gjatë së cilës e ashtuquajtura Kosova merr liberalizimin e vizave, merr pjesë në të gjitha tubimet ndërkombëtare dhe avancon drejt disa organizatave ndërkombëtare?”, pyeti ai.

“Ashtu siç kemi parë në veprim se as garancitë e BE-së dhe as NATO-s nuk janë të vlefshme kur bëhet fjalë për serbët, po ashtu jemi dëshmitarë të një rikthimi të vlerës për hir të interesave gjeopolitike të dikujt në Ballkanin Perëndimor, sidomos kohët e fundit, po ushtrojnë presion të fortë ndaj Serbisë dhe popullit serb, sepse është e qartë se një Serbi e fortë me Aleksandër Vuçiqin në krye është gjemb në sytë e shumë fuqive perëndimore”, theksoi Petkoviq.