Plagosja e dy vëllezërve në Rahovec: Sekuestrohen gjashtë armë e municion

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pasdite në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në Rahovec, ku dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se viktimat janë dërguar në Spitalin Rajonal ‘Isa Grezda’ për trajtim mjekësor.

Elezaj po ashtu bëri me dije se dy të dyshuar janë dorëzuar në stacion policor, teksa Policia ka kryer bastisje ku janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë armë të ndryshme dhe municion.

“Në ndërkohë në Stacionin Policor në Rahovec janë dorëzuar dy persona meshkuj të moshës madhore e që dyshohet se janë të përfshirë në rast. Lidhur me rastin është organizuar operacion bastisje ku janë konfiskuar gjashtë armë të ndryshme dhe municion. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit  janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast”, tha Elezaj për Sinjalin.